Evidencë

~

Okej doktor okej,
Një prerje 7 cm e gjatë nën brinjën e majtë
Dhemb sa herë përkulem mbi makinën qepëse
Tegeli zig zag i urave mbi gangrenën e qytetit
Rreziku i tetanozit, shtëllunga e bardhë në kafkë të kavanozit
Pranë morfinës, pranë portit
Pranë zgjidhjes, pranë zotit
Pranë veshit, pranë syut
Pranë hiçit, pranë hyut
Pranë orës, pranë dorës,
pranë sedrës,
pranë sorrës
Trakt
Artifakt
Katarakt
Pa Kontankt
Me një varkë shuk mu në bark

*
Kërkoj një shpend ti vijë në ndihmë
Uraganit që bluan në oborr
I akullt si trup qiellor
Përvëlues si turp hyjnor

Një shpend me bisht në sy
Me damkë në krahë
Me kthetra në shpinë
Një shpend varrmihës
Antiplumb

Një shpend fashist
Një shpend komunist
Pesimist
Pikërisht pesimist
Veçanërisht pesimist
Qëllimisht pesimist
Dëshpërimisht pesimist
Në kulturë
Në pëlhurë
Në lëkurë
Në furrë
Në katrahurë

Një shpend të zi
Antipëllumb.

*
Okej doktor okej,
Erdhi dita të hiqen pejnat
Të zbrazen mushkëritë
Të mbushen venat
Të këputen fijet
Të kolonizohen kopshtijet
Të braktiset vemja
Kokë e këmbë flutur
Të bukur
Të shkëputur
Të zhdukur
Të lumtur
Të verbër
Verbues
Të bukur.

~

The Passing of Dhumavati

~

Romansë e Rezonansë
Padam, Padam e Transë
Vjeshta shpallet e shpalos
Gjethet e Konjakut në Avansë

Dhe Ullinjtë rrëzohen ndë Hullinjtë
Porsi Hyll’i Dritës ndë Gjinjtë
provizorë të një Puthjeje havale
në një Kohë kahmot temporale

Aht! Qysh vojti q’ajo Prominensë
Funt Fijes së Shpresës Marimank e zesë,
Kur edhe Gjoks-leshatorët mbërdhijnë
Pse Fijet e Shkrepëses t’mos nxijnë?!

~

Trio

~

O.

Nji kollë nji kollë edhe nji kollë
Këput muskujt e hollë
Dita është e ftohtë
dhe nata kullon djersë
Mamalët darkojnë në ushqimin e zogjve
Nji elefant elegant bie
në gjurmët e Ali Xhixhës.

Nji kollë nji kollë edhe nji kollë
Planeti del nga orbita
Si nji shtrigë del prej valles
Si nji qyqe del prej pullazi
Si nji qyqar del prej shpije
Në ajër të fundit.

Fiqo, më thotë tjetri
Ti smund ta dish sa e paplotë është jeta
Kur e ke gishtin më të madh se vrima e hundës
Nsa zbulon mes duarve gjigande
Sytë e tij, dy diamantë të vegjël
që veç e veç
nuk ka ndërmend ti shesë.

O.

I mbytyri pushon në pjesën më të qetë të lumit
Me kokën e çarë më dysh
Një gur i ftohtë rehatuar mes sysh.

I pashë kur erdhën
aty ku fusha ngushet me rrjedhën
Me shkopa të gjatë në duar
Litarë, batanije dhe kohë të zhvlerësuar.

Dhe e zgjuan nga një ëndërr më e gjatë se jeta
Dhe e veshën me rroba pothuaj të reja
Dhe e shtrinë në një vend të thatë
Dhe atëherë u bë natë
Natë ju them, natë.

O.

Qent e vegjël të qytetit lehin më fort
Qent e vegjël të qytetit lehin më shpesh
Qent e vegjël të qytetit lehin më gjatë.

Me fjongo midis veshëve
Dhe kordele në qafë
Me hundët poshtë dyerve dihasin djajtë.

Hallku u japin raki të mos rriten
Siç u varin peshë djemve tua zgjasin
E pyesin si u gjendëm kështu papandehur
Mes qensh të dehur e burrash të ngrehur.

Kështu pra qyteti nuk fle as sonte,
qyteti është pasqyra ku krihet gjithë bota
Mes madhështisë dallore të përmasës
dhe pafundësisë reflektive të detajeve të vogla.

~

Çdo Ditë

~

Në mëngjes u dorëzua era me gërshetin e shthurur
Me të cilin rrahu gjithë natën si kamzhik
Pemën me shenja në lëkurë
e lule ende nën thonj.

Në kinkalerinë e qoshkut
një burrë zgjedh kapakun e duhur
për kupën prej letre të ricikluar të kafes
Një tjetër lexon faqe më faqe gazetën
përpara se ta blejë,
Një grua shkund cigaren
në lavaman
në katin e parë
Një tjetër rreh vezët
me vibratorin rozë
në të fundit.

Trageti i natës zbras bulçitë në pier
Endacaku ngre tabelën e kartonit
Shpëtimi është këtu!

Merr sa më shumë fotografi
Porosit gruaja burrin me rrip të zi në qafë
Por memorja është plot.

Dhe është e vështirë të harrosh
Çdo ditë.

~

Buda

~

O sa akrepa kishte shtëpia e vjetër
Ca ishin sa luga e kafes të vegjël
Të tjerë sa një xhezve, udhëtonin
Me boçen e helmit në fund të hostenit
Të madhe sa një kokërr lot.

I kapja me mashën e sobës së druve
Në dimër i digjja në sobë
Në verë i shtypja
me gurë të latuar si bolet e Budës
me nënqeshjen e tij kopile
Vdekja fle me këmbana
e zgjohet me zile.

O sa akrepa kishte shtëpia e vjetër
Në mur, në lëkurë, në strukturë
Në poçin e djegur si gështenjë
Në guvat e ftohta të këpucëve
Në këtë e në atë anë të televizorit
Në majat e mashës
mbi helm helmi i tyre rridhte.

Njerëz të sfilitur
Në makina të sfilitura
Nëpër rrugë të sfilitura
Në qytete të sfilitura
Më sollën ndërmend akrepat
Në udhëtimet e tyre fatprera
Me një boçe helm mbi kokë
Të madhe sa një kokërr lot.

~

Pranvera

~

Një milion shpata të brishta ngre ushtria e nëntokës
Dielli ngroh erën dembele
mbi kodrat ngjyrë muti

Pranverë për larvat
Pranverë për insektet
Pranverë për zogjtë
ende syhapur nga fluturimi i natës
ende përtypin ëndrra vezulluese
si lumenjtë e shastisur
në shtretërit e tyre të stisur
me rrëmbim

Kjo është pranvera

Koha kur njerëzit të hapin kokën si gjinkalla
me lloj-lloj dërdëllitjesh
dhe kuajt hamshorë mbështesin flegrat mbi gardh
dhe kozmonauti gjen gjurmë të reja jete
në shtratin e tij të vjetër
në agim
dhe gjyshi nipit në vesh i flet
Sa më gjatë ta mbash çiçin
Aq më larg do shkosh në jetë

Kjo pra është pranvera
Erdhi edhe sivjet
( Sa më gjatë ta mbash frymën,
i tha në të vërtetë).

~

dy fjalë për Hezus

~

Nga dritarja e kuzhinës, sot
tek po fërgoja një salçiçe
Pashë të përcillte rrugën përtej
Një grua me diellin mbi prapanike.

Hezus vdiq, dje.
E gjetën në të mbathura
Me një çajnik ende të nxehtë mbi gjoks.

Vetmia e ka dorën të ngrohtë
Nuk të lë vetëm, – të thotë
Tek të përcjell
Rrugës përtej.

~

Kavendish

~

Kavendish
I artë e i zi
Kurora e kodrave në flakë
Qyteti dergjet ethesh në natë
Ajër gri shkrumb e hi
Një frymëmarrje vetëm një frymëmarrje e gjatë e gjatë e gjatë

Kavendish
Flokët e saj
Kavendish
Sytë e saj
Kavendish
Hapat e saj
Kavendish

Njëzet korba në kurorën e pemës
Unë kam një krimb në zemër
Që nuk pyet
për gjak të kulluar
a të helmuar, një krimb të butë e të ëmbël
Kavendish

Poezia është një fëmijë e dështuar
ende djeg
në prehrin e artë e të zi
të llullës

Kavendish

~

Qefull

~

Qefull në tavolinë e shtrinë
Me majën e thikës i morën
Paret e argjenta nji nga nji
nga nji nga nji
Mesdheu rron me mishin e shijshëm
trupin e hajthshëm e hijshëm.

Në kurriz të nëndetses
Shëmben ujrat e qeta
Në kurrizin e errët
Gjunjët e ujit thyhen
Mushkritë i mbushen me natë
Përpëlitet me një direk në zemër
humbet nëpër valë mesazhi i qartë

Memece e verbër e verdhë lind dita
Njerëzit janë të ftohtë rërë
kokrrizë mbi kokrrizë
Me gjunjë të thyer në kurriz

Këndej nga kalon era
Gjaku ftohet
Në xham
të syrit të qefullit.

~

I përpiktë

~

Shiko majtas
Shiko djathtas
Sytë poshtë uli

Lësho torbën
Lësho frymën
Ulu

Vrojto trenat mes këmbëve të tua
Njëri prej tyre është i përpiktë
I përpiktë si gjumi

~

Return to top